Demokratët e Tepelenës dhe Memaliajt, kanë festuar së bashku 31 vjetorin e krijimit të degës së PD. Me dhjetëra demokratë të orëve të para si dhe pjestarë të Forumit Rinor të PD në Tepelenë e Memaliaj, i janë përgjigjur thirrjes së drejtuesve vendorë të PD për t’u mbledhur me rastin e krijimit të kësaj dege. Me këtë rast prezent me demokratët tepelenas, kanë qenë edhe deputetët e PD Edmond Spaho dhe Prof.Dr. Tritan Shehu deputet i Qarkut të Gjirokastrës.
Në fjalët përshëndetëse nga themelues të kësaj dege, kanë rënë në sy tonet optimiste për një rigjallërim të PD në bazë, falë edhe zërave nga demokratët e thjeshtë të cilët kanë qenë të zhgënjyer me politikën e ndjekur deri më tani nga Lulzim Basha për 8 vjet duke e cuar PD nga humbja në humbje. Revolta e demokratëve të Tepelenës dhe Memaliajt ndaj ish liderit Basha ka qenë e dukshme edhe në këtë përvjetor të PD në Tepelenë.
Ata kanë vënë në dukje se Basha nuk përfaqëson PD por interesat e veta personale të lidhura me pushtetin e Edi Ramës. Ndërkaq deputeti Edmond Spaho, ka vënë në dukje se demokratët në mbarë Shqipërinë, i janë përgjigjur masivisht thirrjes së kuvendit të 8 dhjetorit dhe me këtë rast i ka bërë thirrje të gjithë demokratëve përfshirë dhe ata që i shkojnë ende Bashës, që të unifikohen.
Deputeti i Gjirokastrës Prof.Dr.Tritan Shehu, ka ftuar të gjithë demokratët të jenë të bashkuar dhe se dera është e hapur për cilindo që kërkon të rrëzojë pushtetin kleptokrat të Edi Ramës.
Në këtë përvjetor, kanë përcjellë mbresa dhe kujtime të hershme në ditët e para të themelimit të PD në Tepelenë, themelues të saj si Bujar Kapllani, Hysni Kasëmi, Malo Sadikaj etj.