Përmeti ka njohur numrin më të madh të turistëve këtë sezon. Me dhjetëra mijëra turistë vendas apo të huaj, kanë kaluar më shumë se 2 ditë në këtë qytet apo rrethinat e tij pasi Përmeti është mjaft i pasur me atraksione turistike të ndërthurura ndër epoka. Objekt i vizitave të turistëve janë Kisha e Leusës, Banjat e Bënjës, lagje e vjetër e qytetit, kanioni i Langaricës, apo dhe rafting në rrjedhën e Vjosës. Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra e Turizmit në këtë bashki, Përmeti ka patur sezonin më të frekuentueshëm të turizmit kjo dhe si pasojë e zgjatjes në kohë të sezonit. Edhe në këto ditë të mes shtatorit, në Përmet gjen turistë të cilët vijnë kryesisht nga vendet perëndimore si Gjermania, Holanda, Zvicra, apo dhe Spanja. Interesi i turistëve përvec atraksioneve mjaft fantastike që të ofron ky qytet, janë dhe gatimet tradicionale ku Përmeti shquhet dhe është me nam në të gjithë vendin.
Në bazë të statistikave zyrtare pa llogaritur vizitorët ditorë, Përmetin e kanë vizituar në tetë muajt e parë të këtij viti mbi 110 mijë turistë shumica të huaj. Ose e thënë më ndryshe në raport me vitin e kaluar është vërejtur një rritje në kufijtë e 30%. Kjo padyshim është produktive për mirëqënien e banorëve të këtushëm por dhe zhvillimin e mëtejshëm turistik të këtij qyteti. Sipas kreut të Zyrës së Turizmit në Bashkinë e Përmetit Edjon Maliqi, rrallë gjeje turistë ditorë pasi shumica e rasteve kanë qenë vizitorë që kanë qëndruar minimalisht 2 ditë në Përmet. Kjo për shkak të numrit të madh të atraksioneve turistike që ka Përmeti.
Qyteti i Përmetit vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm kapacitetet akomoduese dhe kjo për shkak të shtimit të kërkesës për të vizituar këtë qytet jo vetëm në muajt e verës, por dhe në dimër. Sot në Përmet ka një shtim të ndjeshëm të bujtinave të cilat në shumicën e rasteve janë dhe më të kërkuarat prej vizitorëve të huaj.