Ky që dergjet në shtrat është Asqeri Dura, 67 vjeç, nga qyteti i Memaliajt i paralizuar para disa kohësh. Për të kujdeset përditë Manushaqja e shoqja e tij dhe Teo i biri.

Gjendja e tyre ekonomike nuk ka ku të shkojë më keq.

Si nëna dhe i biri janë të papunë, madje zonja e shtëpisë nuk ka asnjë mundësi punësimi, pasi i shërben të shoqit në shtrat.

Asqeriu nuk ka mundësi të lëvizë dhe kjo është arsyeja përse Manushaqja i qëndron tërë ditën tek koka, ndërsa djali i çiftit të moshuar Teo është pothuajse i paaftë për të punuar. Të tre rrojnë me një shumë prej 12 mijë lekësh, që është pensioni i invaliditetit të Asqeriut. Fagkeqesisht Shërbimi Social Shtetëror, u ka mohuar dhënien e pensionit të shoqëruesit për të shoqen e Asqeriut me arsyetim tërësisht të pabazë.

Entela Basha, kryetare e komisionit të KEMP në kryeqytet, ka gjykuar se Asqeriu është në gjendje, që mos të ketë shoqërues, pra e shoqja apo i biri që qëndrojnë 24 orë me të, mos të përfitojnë kontribut financiar, ashtu sikurse e parashikon ligji.

Ndërsa Laura Hoxha, shefe e Zyrës së Trajtimit Ekonomik ne Bashkine e Memaliaj, ju është gjendur pranë kësaj familjeje me ushqime dhe veshmbathje periodikisht, ndërkohë që e ka të pamundur t’u gjendet pranë financiarisht për vetë specifikën që kjo familje mbart.