Dalin pamjet nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku u ekzekutua 41-vjeçari Leartiad Kekaj.

Makina “Audi A6” me targa italiane, me xhama të zinj kishte në brendësi të saj dy persona, shoferin dhe qitësin.

Referuar pamjeve, automjeti ikën dhe kthehet mbrapsht me “indietro” dhe e riqëllojnë nga brenda makinës 4 herë në kokë.

Dyshohet se fillimisht plumbat e kanë prekur viktimën në këmbë, ndërsa ai rrëzohet.

Autorët kanë qëlluar me breshëri, ndërsa gjurmë plumbash janë gjetur në muret e banesave përreth, madje edhe në ballkonin e një apartamenti.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta. Mësohet se viktima ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është qëlluar me armë zjarri nga një person i maskuar, i cili ndodhej në një makinë.

Makina “Audi” që dyshohet se është përdorur për krim është gjetur bashkë me kallashnikovin brenda totalisht e shkrumbuar në fshatin Kotë në Vlorë.

“Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur”, sqaroi policia në njoftimin zyrtar.