Video e momentit kur edukatorja i thyen këmbën vajzës 3-vjeçare në kopshtin privat “Stinët” është bërë publike.
Në pamjet e publikuara nga emisioni investigativ “Stop” zbulohet se ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të fëmijëve.
Edukatorja Majlinda Dehima pasi e dhunon dëgjohet duke i thënë vogëlushes “Moj sharabajgë, me ty do të merremi”.
Në pamjet filmike ku tregohet qartë sesi e mitura dhunohet nga edukatorja, Majlinda Dehima deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores ndaj 3-vjeçares.
Thyerja e këmbës e vajzës ka ndodhur rreth orës 13:47, por familja e vogëlushes është lajmëruar nga stafi për të marrë 3-vjeçaren pas orës 15:00.
ORA 13:46 – Vajza qan
Edukatorja 1: Pusho moj… Ua… Ku je ktu mi?!
ORA 13:47 – Futet edukatorja Majlinda Dehima – Dëgjohen goditje
Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajgë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën.
ORA 13:47 – Dëgjohet kërcitje, vajza fillon të qajë pa pushim
Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Jo, jo… Padashje…
Të qarat vazhdojnë deri në orën 15:12 kur vajza bëhet gati për të dalë nga kopshti.
Ndërkohë babai i 3-vjeçares ka treguar në mënyrë kronologjike edhe njëherë se si u trajtua rasti i thyerjes së këmbës të së bijës nga instancat përkatëse.
Në çfarë ore ju shkuat në datën 1 Nëntor tek spitali i Traumës?
Babai i vajzës: Shkuam rreth orës 4 e gjysmë. Mjeku që e trajtoi, di vetëm emrin, quhej Juli. Pasi bëmë grafinë, na mori të 2 si prindër me gjithë vajzën na çoi në një dhomë tjetër që ishte konsultë dhe na tha që vajza ka thyer në gjendje të rëndë këmbën.
Ky doktor, ai thërriti oficerët e Policisë Gjyqësore?
Babai i vajzës: Doktori nuk ka shprehu një interes të tillë për të kërkuar një shpjegim apo investigim që meqenëse, prindërit nuk dinë gjë nga ky kopsht, atëherë do të merret oficeri përkatës që të zbardhte çështjen ose të bënte pyetjet që ai di.
Ne, pasi hymë brenda që pamë grafinë, nuk erdhi njeri afër që të na pyeste pasi ishte një emergjencë që duhej të shihnim se çfarë kishte ndodhur.
Pasi ikëm tek salla tjetër që zbardhnim grafinë në ekran, sa morëm vesh nga mbrapa, një oficer kishte ndaluar zonjën drejtoreshë me gjithë të shoqin e saj duke e pyetur se çfarë ka ndodhur. Zonja, mesa morëm vesh ne, kishte thënë që “jemi të afërmit, nuk ka ndodhur gjë, një aksident i vogël”.
Dhe ai nuk i kishte shkuar më tej zbulimit të ngjarjes? Ishte mjaftuar me pohimet e drejtoreshës?
Babai i vajzës: Po. Ai kishte marrë dëshminë që ishte një rast familjar që ka ndodhur. Nuk erdhi të pyeste njeri. Ngeli tamam një enigmë.
Edukatorja dhunuese, Majlinda Dehima, e cila u mor në pyetje vetëm 1 javë pas ngjarjes (7 nëntor) tha para uniformave blu se mendon që vajza e ka lënduar vajzën tek hapësirat e krevatit, por në fakt e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe këtë e vërtetojnë pamjet e fundit.
Dëshmia e edukatores Majlinda Dehima:
“Kam goditur me vizore vetëm tek karrigia për t’i tërhequr vëmendjen vajzës për në mësim. Rreth orës 15 e 3 minuta, vajza ka nisur të qajë dhe pas kontrollit që i kam bërë, kam parë që këmba ka qenë e enjtur. Më pas, njoftova menjëherë drejtoreshën e kopshtit. Mendoj që vajza e ka lënduar këmbën tek hapësirat e krevatit”, ka deklaruar ajo.
Por pas marrjes në pyetje, edukatorja është proceduar në gjendje të lirë, pavarësisht se për shkak të dhunës së saj vogëlushnja theu këmbën.