Bashkia e Memaliajt ka numrin më të madh të popullsisë në rang qarku pas Bashkisë së Gjirokastrës, e veç kësaj dhe numrin më të madh të trajtuarve me asistencë ekonomike apo dhe të të pastrehëve.
Vetëm në një vit numri i këtyre të fundit është shtuar ndjeshëm kjo, pasi familje që nuk kanë asnjë mundësi sigurimi për strehim që shtegëtojnë nga zonat rurale në ato urbane, ekspozohen karshi kësaj problematike.
Për herë të parë në këtë bashki është aplikuar bonusi i qerasë, çka në të kaluarën ishte një nocion i panjohur.
Shumë aplikantë kanë marrë pjesë në këtë bonus për të përfituar qeratë falas nga bashkia, por vetëm gjashtë prej tyre kanë mundur t’ia dalin.
Të tjerët nuk plotësonin kriteret. Kriteret janë të vendosura nga qeveria shqiptare si donatorja kryesore e këtij bonusi, por që çuditërisht këto kritere kërkojnë një mal me dokumente, që kalojnë kapacitetin e përballimit financiar nga ana e aplikantëve.
Njëkohësisht familjet e vobekta që janë me shumicë në këtë bashki, u janë gjetur forma mbështetjeje me ushqime apo pajisje elektroshtëpiake falë raporteve, që ka ndërtuar kjo bashki me fondacione të ndryshme vendase apo të huaja.
Shefja e Zyrës së Trajtimit Ekonomik në Bashkinë e Memaliajt, Laura Hoxha, ka prekur edhe cështjen e restaurimeve që janë kryer në banesat e familjeve pa të ardhura kryesisht në çati, meremetime të jashtme etj.
Sot në Memaliaj numërohen 300 familje që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe duket se tendenca është ghjithmonë e në rritje. Shumica e tyre janë në qytet, ndërsa shumë pak në zonën rurale.
Megjithatë Bashkia e Memaliajt ka çelur programin e nxitjes së punësimit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Në këtë program janë të përfshirë persona të aftë dhe të paaftë për punë, ku është shfaqur një interes gjuthnjë e në rritje.
Memaliaj ashtu sikurse të gjitha bashkitë e tjera në qark, vuan problemin e migrimit. Vetëm në 10 vitet e fundit nga kjo bashki janë larguar gati 30% e banorëve të saj, duke krijuar zbrazëti të madhe dhe rritur ndjeshëm moshën e banorëve si pasojë e largimit gjithmonë e më shumë të të rinjve.