Konflikti i armatosur në Ukrainë po kërcënon seriozisht turizmin në Gjirokastër. Bizneset kryesisht ato artizanale që operojnë në Pazarin Karakteristik shprehen të shqetësuara për situatën e vështirë që i pret në sezonin turistik që do të celet për pak ditë.
Kjo për shkak se shumica e turistëve që ishin frekuentues të Gjirokastrës në 10 vitet e fundit, kanë qenë nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. Mjeshtri i drugdhendjes në Gjirokastër Anastas Petridhi shprehet për Jugulajm.net se gjatë këtyre muajve, turistët kanë qenë të paktë kryesisht vendas, ndërsa menjëherë sapo nisi konflikti në Ukrainë, cdo gjë është pezulluar. Ai thotë se të rrezikuar ndjehen edhe në vijim me nisjen zyrtarisht të sezonit turistik pasi më shumë se gjysma e vizitorëve, i përkasin vendeve të përfshira në konflikt. Petridhi ka ngritur shqetësimin se dhe artizanët duhet të ishin bërë pjesë e paketës ndihmëse që qeveria shqiptare ka miratuar pak ditë më parë.
Edhe artizanja Enkeleda Myrtaj thote se gjendja është e rëndë dhe se turistët e nga shtetet e përfshira në konflikt, përbënin kontigjentin potencial të blerësve të produkteve artizanale në Gjirokastër. Me mungesën e tyre, mallrat do të ngelen të paprekura pasi turisti perëndimor, është kryesisht kalimtar dhe indiferent karshi punimeve artizanale.
Gjatë vitit të kaluar ndonëse nën kushte pandemike, Gjirokastra u vizitua nga 90 mijë turistë vendas e të huaj.