Efektivi i policisë Hysen Metalian, u shkarkua nga detyra pasi kërcënoi një qytetar me një gjobë të majme.

Denoncimi u publikua mbrëmjen e djeshme nga Infrared.al, aty ku shfaqej Metalian, duke kërkuar ryshfet nga një prej drejtuesve të automjeteve për të mos i vendosur gjobë.

“Lësho kafen e ikni, mos na çani dërrasat”- dëgjohet t’i thotë polici qytetarëve.

”Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, porsa është njohur me një lajm të publikuar në rrjetet sociale, ku në aksin rrugor “Fier-Vajkan”, një punonjës Policie, duke shpërdoruar detyrën, i ka kërkuar një drejtuesi mjeti lekë në këmbim të mosvendosjes së gjobës, ka miratuar përjashtimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë së Shtetit, të punonjësit të Policisë Inspektor H. M. me detyrë punonjës i Policisë Rrugore Fier.

Po në lidhje me këtë rast, ndaj punonjësit të Policisë inspektor H. M., AMP ka nisur hetimin për shpërdorim detyre dhe korrupsion”, thuhet në njoftimin e policisë.