Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit Gjirokastër, janë hedhur në grevë mëngjesin e sotëm. Prej orëve të para të ditës, ata janë grumbulluar para godinës së Bashkisë Gjirokastër, për të kërkuar sikurse thonë ata vetë, rritje page që i’u është premtuar gjatë këtij viti prej autoriteteve bashkiake.

Punonjësit kanë qenë mjaft të revoltuar me autoritetet vendore, pasi sipas tyre, këto të fundit gjatë mëngjesit të sotëm kanë ushtruar presion dhe forma të ndryshme presioni për të vijuar punën pavarësisht kërkesave që kanë.

Ata e pohojnë vetë këtë fakt dhe ndërkohë që janë të bindur për t’i shkuar deri në fund kërkesave, që kanë duke sakrifikuar madje dhe vendin e punës.

Punonjësit janë të bindur se në ndërmarrjen që ata punojnë rezultojnë edhe persona të tjerë, që figurojnë si të tillë por që nuk rezultojnë në terren, çka kanë shprehur haptazi dyshime se bëhet fjalë për abuzime me fondet e pagave të tyre.

Gjithashtu ata thonë se përgjatë gjithë vitit nuk kanë marrë asnjë ditë pushim, apo pushimet vjetore që janë të bazuara në Kodin e Punës, por kanë punuar pa pushim.

Kjo punë nuk është reflektuar aspak me rritje të nivelit të pagave të tyre. Grevistët nuk tërhiqen nga kërkesat deri në përmbushjen e tyre, në të kundërt ata do të vijojnë të përballen me presionet për largime, duke marrë dhe këtë kosto që rëndon në mirëqënien e familjeve të tyre.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës.