Kanioni i Langaricës, gati 15 km në verilindje të qytetit të Përmetit konsiderohet si një ndër pasuritë natyrore dhe të veçanta që ka Shqipëria e jugut. Pjesë e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës”- Dangëlli, kanioni me gjatësi afro 5 km ofron një pamje spektakolare mes shkëmbinjve dhe ujërave termale.
Për të shkuar në Kanionin e Langaricës udhëtojmë në aksin kombëtar Tepelenë-Përmet-Ersekë. Fillimisht na shfaqen Ura e Leklit dhe ajo e Dragotit, monumente të mbrojtur nga shteti. Në hyrje të Përmetit marrim drejtimin lindor sipas tabelës për në “Llixhat e Bënjës”. Rruga automobilistike deri në llixha është e asfaltuar.
Këtu parkojmë makinën dhe pjesën tjetër të rrugës deri tek kanioni i Langaricës duhet ta përshkojmë në këmbë përreth një kilometër. Tek-tuk hyn dhe del në rrjedhën e ujërave termale derisa mbërrijmë në destinacion. Kanioni ndodhet rreth 200 metra larg burimeve termale ne të dyja anët e lumit të Langaricës. Kudo shfaqet natyra magjepse me bimësi të pasur, shpendë e kafshë të egra.
Kanioni i Langaricës është destinacion i preferuar për të huajt dhe vendasit. Teksa flasin për bukuritë natyrore, ata evidentojmë dhe problematikat.
“Kanionet janë përrallore, por duhet investim. Na pëlqen shumë, mendojmë të vijmë sërish vitet e tjera”, thanë vendasit.
“Jam nga irlanda po bëjmë një tur në Shqipëri, dëgjuam për llixhat dhe erdhëm këtu për vetitë kurative që ata mbartin”, shprehet turisti i huaj.
Ka nevojë për investime, si mirëmbajtja e rrugës për këmbësorët, hapja e shtigjeve apo dhe vendosja e tualeteve portabël, thotë shefi i zyrës së Turizmit në Bashkinë e Përmetit, Edjon Maliqi por pushteti lokal nuk mund të ndërhyjë pasi kanioni është zonë e mbrojtur.
“Ky është atraksion interesant që po frekuentohet çdo vit e më shumë. Në të majtë e të djathtë janë shpellat që kanë shërbyer si vendbanime të hershme. Normalisht që ka nevoje për investime për të krijuar facilitete për turistët”, tha ai.
Me gjatësi 5 kilometra dhe lartësi që varion nga 150-200 metra kanioni i Langaricës në Përmet shquhet jo vetëm për vlerat natyrore, por edhe ato arkeologjike. Për aventurierët dhe të apasionuarit pas natyrës, kanioni i Langaricës është destinacioni i duhur!