Muaji janar solli një shtim të rasteve me viroza nëpër qendrat shëndetësore në Gjirokastër por edhe në Pavionin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” ndonëse në këtë të fundit më të rralla.
Mjeku specialist Rovin Laro thotë se ditët e fundit ka një shtim të rasteve gripale duke bërë që numri i pacientëve në qendrat shëndetësore të jetë dyshifrore apo në disa raste dhe treshifrore dhe kjo në varësi të ditëve. Më të prekur mbeten moshat aktive kryesisht të personave që punojnë në grup admnistratë apo fasoneri për shkak të kontakteve të shumta që krijojnë.
Mjeku bën me dije se ky grip është më i fortë se ai i viteve të mëparshme. Ndersa problem mbetet dallimi midis gripit sezonal dhe Covid 19.
Sipas specialistit pranë NJVKSH Gjirokastër Vaso Bashari, dallimi bëhet vetëm nëpërmjet testimeve të cilat verifikojnë praninë ose jo të Covid 19. Sipas tij gjatë këtyre ditëve janë konfirmuar disa raste sërish me Covid 19. Jashtë kamerave pacientët thonë se kryesisht simptomat që kanë janë dhimbje fyti, kollë e thatë dhe temperaturë deri ne 39.