Në 48 orët e fundit, banorët e fshatit Zhulaj Njësia Administrative Krahës Bashkia Memaliaj, kanë përjetuar tmerr të vërtetë.
Mendohet se një grup i mirëorganizuar grabitësish, kanë plaçkitur 12 banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale tek një pjesë e mirë e banorëve të këtij fshati kodrinor. Makineritë apo instrumentet bujqësore kanë qenë në fokusin e grabitësve, por edhe produktet ushqimore duke filluar nga vaji i ullirit, fasulet, grurin e deri tek mandarinat në pemë. Madje këto të fundit keqbërësit i kanë shijuar duke lënë edhe gjurmë përmes lëkurëve të agrumeve dhe gjurmët e shkeljes fill pasi kishin grabitur të mirat materiale të fshatarëve. Këtë e dëshmojnë banorë të fshatit ku janë shprehur se grabitësit kanë marrë edhe vlera monetare, bizhuteri, pajisje elektoshtepike.
Ata kanë hapur me forcë dyert e shtëpive mes tyre edhe ato ku janë të pabanuara. Ndonëse është hera e parë që ky fenomen ndodh në Zhulaj, banorët e këtij të fundit shtojnë se ndihen të pasigurtë për jetën dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve që të armatosen pasi deri më tani policia është mjaftuar me aktkonstatim dhe nuk ka zbuluar qoftë edhe një keqbërës të vetëm.
Lidhur mbi këtë ngjarje, Drejtoria e Policisë Vendore Gjirokastër, e ka përcjellë me një njoftim të thatë me dy rreshta pa dhënë shumë detaje të ngjarjes ku mjaftohet të thotë se janë grabitur vetëm 2 banesa e jo 12 siç ka ndodhur në realitet.