Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut, do të vijojë nesër shqyrtimin gjyqësor të pretendimeve të Komisionerit Publik kundër gjyqtares së Apelit te Gjirokastrës, Irena Brahimi, për problematika në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin. Vendimi i KPA, në rastin e gjyqtares Brahimi, merr një vëmendje të veçantë, pasi Kolegji do të duhet të mbajë qëndrim edhe për një vendim tejet të dyshimtë dhe të diskutueshëm të gjyqtares, për një aksident të vitit 2016 me tre viktima, ku fajtori i këtij aksidenti të tmerrshëm, siç edhe duket në këtë video, është shpallur i pafajshëm.
Në 21 korrik të vitit 2020, Komisioni i Vetingut, shkalla e parë, konfirmoi në detyrë gjyqtaren Irena Brahimin, ndërsa një çështje të saj të vitit 2015, e referoi për inspektim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, për të konstatuar ose jo shkaqe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore. Në 23 tetor 2020, Komisioneri Publik Florian Ballhysa i kërkoi Kolegji të Apelimit rihetim për gjyqtaren Irena Brahimi, me pretendimin se gjyqtarja nuk justifikonte plotësisht pasuritë e deklaruara me burime të ligjshme të ardhurash si dhe mbulimin e shkollimit të fëmijëve në Angli.
KPA-ja riçeli hetimin për kriterin e pasurisë për gjyqtaren Brahimi. Por, KPA administroi edhe një denoncim publik për vendimmarrjen e gjyqtares për aksidentin e vitit 2016 me tre viktima.
Mesditën e së dielës së 24 korrikut 2016, në rrugën Gjirokastër-Tepelenë, pranë fshatit Mashkullorë, dy mjete janë përplasur ballë për ballë, një furgon “Mercedes”, ngjyrë gri, në të cilin udhëtonin 8 persona dhe një “Nissan” me targa të Zvicrës, ku udhëtonin tre persona. Albana Hasani nga Kosova, oficere policie, fëmija e saj 9 muajsh dhe një e mitur 18 muajshe vdiqën në vend. Tetë persona të tjerë u plagosën rëndë.
Aksidenti ndodhi në orën 13:43. Siç duket nga kjo video, H. D., drejtuesi i mjetit furgon “Mercedes”, ngjyrë gri, është shkaktar i aksidentit. Mjeti furgon humbet kontrollin dhe del nga rruga para përplasje. Pasi furgoni del nga rruga, shoferi manovron duke e kthyer mjetin në karrexhedë. Por nga shpejtësia del në korsinë tjetër, ku përballë po vinte mjeti “Nissan” me targa të Zvicrës.
Në orën 18:00 të asaj dite, policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë H. D., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në vijim, me të njëjtën akuzë, Prokuroria e Gjirokastrës ka referuar dosjen e H. D., në gjykatë. Gjykata e Gjirokastrës dënoi me 6 vite burg shtetasin H. D., duke vlerësuar faktet dhe pretendimet e Prokurorisë.
Gjyqtarja e Apelit Irena Brahimin vendosi rrëzimin e vendimit të shkallës së parë, duke e shpallur H. D., të pafajshëm. Kur ky vendim u diskutua në KPA, Irena Brahimi tha në seancë se videoja e përplasjes së dy makinave ishte e paqartë për shkaktarin determinant të aksidentit. Ajo tha se fajësia e H.D nuk provohej tej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe se video nuk tregonte momentin e përplasjes, pasi e pengonte një ndërtesë.