Në emisionin Review në Euronews Albania, u publikuan këtë të shtunë pamjet ekskluzive të makinave ku dyshohet se u transportuan personat e zhdukur në Sarandë.
I ftuar në studio gazetari, Ferdinant Dervishi, bëri një skicim të skemës si mund të ketë ndodhur rrëmbimi dhe ekzekutimi i Fatmir Krasniqit dhe Leonard Theodhorit.
Dervishi tha se personat mund të jenë rrëmbyer me vrasës me pagesë, të cilët ua kanë dorëzuar në zonën e Xarës personave të interesuar. Ai shtoi pse pjesa e ekzekutimit mund të jetë kryer nga këta të fundit diku aty pranë, por edhe më larg.
“Unë po them që kjo skemë duhet të ketë qenë kështu, me sa kemi të dhëna. Janë përdorur vrasës me pagesë, ose rrëmbyes me pagesë, të cilët do të bënin vetëm pjesën e parë të punës që do t’i merrnin nga Saranda dhe t’i çonin në afërsi të Xarës në një ambient të pa banuar, në një depo apo magazinë. Aty mund t’u jenë dorëzuar personave të tjerë. U janë dorëzuar ndoshta aty personave që i donin. Se sa kanë mbetur aty gjallë këtë nuk e dimë. Kohë kanë pasur boll t’i marrin dhe t’i transportojnë në zona të tjera. Vetëm për shpirtrat e familjarëve nuk duhet të ndërpriten kërkimet nga polica”, tha Dervishi.