Pas ekipit kombëtar, në Gjermani ka mbërritur edhe Policia Shqiptare. Ekipi prej 16 punonjësish policie ka disa detyra, por më e rëndësishmja prej tyre është shoqërimi i Kombëtares Shqiptare gjatë lëvizjeve të saj.
Menjëherë 6 oficerë të lartë u pozicionuan në qendrën ndërkombëtare për bashkëpunim policor në qytetin Neuss(Nois), ndërsa pjesa tjetër u vendosën në Bamberg(Bembwrg). Agron Çeli, Shefi i Sektorit të Rendit Publik në Policinë e Shtetit tregoi për Klan News, detaje nga misioni që i pret.
Agron Çeli, shef i sektorit të rendit publik: Do të jenë nga Forcat Kombëtare të Sigurisë, Nga Forcat e Posaçme Shqiponja, nga strukturat e hetimit të Krimit. Do të kryejnë kryesisht patrullime të përbashkëta me strukturat e Policisë Gjermane kryesisht në aeroporte, stacione hekurudhore, në afërsi të stadiumeve dhe për sigurinë e ekipit tonë kombëtarë. Do të futen edhe në stadium, por sipas nevojave dhe kërkesave që do të ketë Policia Gjermane do të mbështesin edhe në ato vende ku do të ketë edhe ‘fan zone’ që do të ketë shumë tifozë të përfaqësueses sonë kombëtare.
Ekipi i Policisë nga data 10 deri në 13 Qershor do të trajnohen dhe certifikohen, ndërsa me datë 14, do bëhen bashkë me 22 mijë punonjësit e policisë federale të cilët do të përqendrohen në kufij, stadiume, sheshe, aeroporte, stacione treni dhe zona të tjera të frekuentuara.
Çeli ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë, që të mos përfshihen në trazira, apo veprime të dhunshme në aktivitetet, pasi legjislacioni gjerman është i ashpër. Për masat ndëshkuese sipas tij tifozët mund të njoftohen nga Policia Shqiptare që do të jetë në Gjermani.
Agron Çeli, shef i sektorit të rendit publik: Ne kemi pasur pika kontakti që do të jenë përsëri me grupet e tifozëve të ndryshëm që do të jenë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova etj. Ju bëj thirrje tifozëve që në kontaktet që do të kenë me përfaqësuesit e Policisë së Shqipërisë në Gjermani të marrin pjesë që të njihen me të gjitha masat ndëshkuese të shtetit gjerman.
Për tifo-grupet apo tifozët problematikë NFIP Albania, që është pika për shkëmbimin e informacionit për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit ka dërguar të dhëna homologëve në Gjermani. Grupi i Policisë Shqiptare, do të qëndrojë në Gjermani në varësi të rezultatit të Kombëtares sonë. Në rast të ndërprerjes së rrugëtimit të ekipit kuqezi, Policia Shqiptare do të rikthehet në Shqipëri 1-2 ditë pas tyre.