Parku Kombëtar Gjeologjik Shiniuzhai, në provincën kineze të Hunanin, ka një veçanti që e bën atë të ndryshëm nga parqet e tjera natyrore. Ai plotëson nevojat e alpinistëve, të cilët mund të ndalojnë gjatë aventurës së tyre në mal për të blerë furnizime.
Kjo bëhet e mundur falë një dyqani që është i varur në mal, në 120 metra lartësi.
Ky dyqan tashmë është bërë edhe një destinacion emocionues për adhuruesit e alpinizmit dhe sporteve aventureske.
Dyqani jo vetëm që ofron produkte që lidhen me ngjitjen e malit, por gjithashtu shërben ushqim dhe pije joalkoolike, në mënyrë që guximtarët të mund të rimarrin energjitë e tyre gjatë ngjitjes.
Edhe pse dyqani gëzon një reputacion të shkëlqyer mes turistëve aventurierë të lartpërmendur, punëtorët përballen me sfida të mëdha për shkak të vendndodhjes së tij ekstreme. Në fakt, sipas një prej punonjësve, puna në këtë dyqan nuk është aspak komode, sidomos kur bëhet fjalë për të shkuar në tualet, pasi përfshin një zbritje të konsiderueshme.
“Është e vështirë sepse je në një lartësi të madhe. Më e keqja nga të gjitha është të shkosh në tualet. Është e pakëndshme të duhet të zbresësh kaq shumë metra. Për këtë arsye, ne mundohemi të pimë shumë pak ujë”, thotë punonjësi.
Megjithatë, stafi është mirënjohës për mundësinë për të ofruar një shërbim thelbësor për vizitorët që vlerësojnë ekzistencën e këtij vendi të jashtëzakonshëm: “Kjo punë nuk të jep një rrogë të madhe, por, gjithsesi, turistët që kalojnë pranë shkëmbit janë shumë mirënjohës për ekzistencën e dyqanit. Kjo na bën të ndihemi shumë mirënjohës dhe na bën të vijmë në punë me qejf”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Parku Kombëtar Gjeologjik Shiniuzhai është gjithashtu vendi ku ndodhet një tjetër element kurioz: Haohan Qiao (ura e burrave të guximshëm, në gjuhën kineze). Është ura e parë e varur me fund xhami në botë.
E inauguruar disa vite më parë, është 300 metra e gjatë dhe 180 metra e lartë. Njëmbëdhjetë inxhinierët që morën pjesë në ndryshimin e dyshemesë përforcuan strukturën e urës me kabllo shtesë çeliku, në mënyrë që edhe nëse disa xhama thyhen, ura të mos pësojë dëmtime.