Në 16 Mars, emisioni Stop në Tv Klan transmetoi rastin e drejtorit të Ujësjellës-Kanalizime për qytetin e Gjirokastrës, Iljaz Memushi, i cili ishte emëruar në këtë detyrë 6 muajt e fundit.
Sipas denoncimit të Stop, ai nuk ka shkollë të lartë dhe në orarin zyrtar punon dhe si taksist në të zezë. Me anë të kameras së fshehtë, një person i infiltruar i Stop mori Memushin për shërbim taksi deri në Kakavijë.
Gjatë rrugës ai foli sesi funksionin Ujësjellësi, duke pritur edhe telefonatat e punës në Ujësjellës për çështje faturash.
Por në mbrojtje të drejtorit që punonte dhe si taksi, ka dalë drejtoresha e Tatimeve Valbona Gjoka, e cila me anë të një statusi në rrjete sociale, ka mbajtur anën e Iljaz Memushit.
“Sot qëndroj me njeriun e punës. Sot qëndroj me njeriun që nuk ja mbylli kujt telefonin. Sot qëndroj me përkushtim. Sot qëndroj me atë që më ka zgjidhur hallin. Sot qëndroj me të drejtin. Sot qëndroj krah atij që s’e pa veten asnjëherë mbi vartësit. Sot qëndroj me një nga të paktët drejtorë që ka qëndruar me ne. Nuk do të bëj as arrogantin dhe as naivin, sot qëndroj krah mikut tim Iljaz Memushi”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Por këtë deklaratë të Valbona Gjokës, një zyrtare e Tatimeve, drejtuesi i emisionit Stop, Saimir Kodra, e konsideron të papranueshme të bëhet për një rast të kapur në flagrancë të punës në të zezë.
Saimir Kodra thotë se zonja Gjoka nuk mund të vazhdojë të jetë në atë pozicion shtetëror me deklaratën që ka bërë.
“Kjo është pro që përveç se një njeriu që paguhet në shtet, punon dhe taksi në të zezë. Pra kjo zonja këtu për ju taksist që më keni shkruar dhe me të drejtë që ju merr taksat, prisni fatura për taksitë apo ju lokale që paguani taksat, pikërisht kjo zonjë është këtu duke falenderuar një njeri që është informal, një taksi që është në te zezë. Që ato 25 mijë Lekë që ia mori agjentit tonë, do t’ia paguante një njeriu që ishte me taksi të verdhë që të çonte dhe ai ndonjë lekë të shtëpi. Ky zotëria që përveç rrogës së shtetit që e merr si e merr, merr dhe ndonjë lekë taksie, nuk paguan taksa, merr dhe çik naftë pune se ajo makina do lëvizi me naftën e punës. Pra ky është ‘ha Muço pi Muço’. Bashkë me këtë Valbona Gjokën. Kjo nuk meriton të jetë më atje ku është, le të jetë krah partisë të shkojë të rrijë me partinë. Por në një pozicion shtetëror, me një deklaratë të tillë që është absurde nuk mund të jetë më. Duhet t’i thonë kësaj që ajo deklarata jote ishte e turpshme, je e para në parti që mbledh strukturat e bën vota, aty nuk je”, deklaroi drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra.
tvklan.al