Ky është Luan Merkohasani, ose siç e thërrasin ndryshe në Tepelenë Xhino.
Ka 2 vjet e gjysmë që dergjet në këtë shtrat i palëvizur dhe nën kujdesin e të motrës dhe të ëmës. 32 vjeçari tepelenas, pësoi aksident në janar të vitit 2021 në aksin nacional Tepelenë-Memaliaj teksa u përplas me një maune në një kohë me shi. Perplasja ka qenë fatale për fatin e tij dhe të familjarëve. Tre muaj pas aksidentit ka qëndruar në koma e ndërsa mjekët i kishin prerë shpresat se do të mbijetonte, pas 6 muajve ai fillon e të reagojë. Prej asaj dite e deri më sot kjo është gjendja e tij.
E motra e vet Aida, është çdo orë e minutë pranë tij duke lënë mënjanë angazhimet dhe detyrimet e veta familjare karshi fëmijëve apo bashkëshortit. Erret dhe gdhihet me Xhinon njësoj sikur t’a kishte të birin e vet. Madje jo vetëm kaq, por Aida braktisi punën e vet për t’iu përkushtuar të vëllait që dergjet në shtrat me shpresën se një ditë do të ngrihet në këmbë. Një dramë e vërtetë me akte të pambarimta është kjo që shfaqet në familjen Merkohasani në Tepelenë.
I ati i Xhinos vuri kokën nga tragjedia që i ndodhi të birit dhe disa muaj pas aksidentit në një natë dimri ndërroi jetë duke lënë pas vetes një mal me halle për të shoqen dhe fëmijët. Aida është ajo që i ka rënë barra e madhe e përballimit të kësaj situate të pazakontë.
Në dy vitet e fundit, shumë zhgënjime kanë përjetuar jo vetëm nga autoritetet qeveritare por edhe nga shoqatat e ndryshme humanitare që pretendojnë se ndihmojnë raste të tilla.