Përdoruesit e drogës në Shqipëri po shtohen dita-ditës, ndërsa varësia po i çon ata drejt shkatërrimit.
Dëshmia e një të riu nga Korça tregon realitetin e trishtë që prek të gjithë ata që futen në rrugën e gabuar.
“Përdoruesit dhe shpërndarësit e drogës në qarkun e Korçës janë rritur në masë, marrë shkas kështu edhe nga njoftimet e përditshme të drejtorisë vendore të policisë së Korçës, ku rasti i fundit ishte ai i ditës së djeshme, teksa dy të rinj u kapën në flagrancë me doza marijuane, kokainë dhe armatimesh të rënda.
Euronews Albania ka intervistuar një të ri i cili po bën përpjekje për të larguar këtë ves, dhe sot kurohet me metadon.
“Nisi nga hashashi, fillova të kuqen, të bardhën, që kjo e fundit po i shkatërron të gjithë çunat e rinj. Po vdesin shumë çuna. Para një muaji ja mori jetën një shokut tonë, vdiq, e sollën nga Greqia, pinte shumë, abuzonte me të kuqen e të bardhen. E sollën e varrosen, na iku mendja kur e pamë. “- tha ai.
Për afro një vit i riu nga Korça është përdorues i rregullt i drogës, ndërsa me të njëjtin problem më herët është përballur edhe vëllai i tij.
“Një vit e ca. Kisha vëllain konsumues droge, do me vdiste, vuri dorë Zoti dhe e la. Shkoi në buzë të varrit por e la. Me thoshte se nuk është gjë e mirë, heroina të fut në varr, lek do, do shkosh te vjedhësh që të nxjerrësh lek. Unë e nisa, e pashe një vit e ca dhe e lashë. Kisha dhimbje, lek i merrje mamasë, dhunë, do punoje vetëm për drogën, merrje të kuqen”- shtoi ai.
Edhe tregu i drogës në Korçë” ka lulëzuar “, por që ta blesh atë duhet të jesh njeri i besuar.
” E vështirë është se këtu nuk te japin, kanë frikë se je spiun, është me siklet ta gjesh por droga është hapur në gjithë Korçën e po ikin shumë çuna te rinj. Kemi gjetur karar me metadonin. ”
Ka pasur e nga ata të rinj që kanë ndërruar jetë për shkak të drogës, ndërkohë që si përfundim i riu ka një mesazh për bashkëmoshatarët e vet.
“Po ka pasur. Na kanë ikur dy shok, nga droga. Tani shpejt na iku shoku nga Greqia. Unë uroj mos e pine këtë droge, ta lënë, mos e pine, është vdekjeprurëse. Të marrin metadon, të durojnë dhimbjet e ti futen valles e të ndryshojnë”- theksoi ai.
Sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë janë rreth 110 të rinj që kurohen me metadon, ndërkohë që nuk ka një shifër të saktë të përdoruesve aktiv të drogës.