Silvana Braho është një ndër shumë pensionistet e mbetura vetëm në Gjirokastër.

Shpopullimi, largimi i të rinjve është bërë shkak për mijëra pensionistë në Qarkun jugor, që vitet e pleqërisë t’i kalojnë në vetmi te plote.

Silvana sot është 79 vjeçe dhe bashkeshorti i saj 86 vjeç.

Të dy gdhihen e ngrysen në këtë dhomë, e cila në kohë me shi pikon nga tavani.

Silvana ka punuar gjithë jetën e saj si infermiere në spital, por kurrë nuk e kishte menduar, që demokracia do t’a linte të vetmuar dhe me një pension, që nuk arrin dot fundin e muajit.

Nje figorifer bosh, mjerimi, skamja, një mal me ilaçe dhe malli për fëmijët e larguar janë shoqëruesit e perditshmerise së tyre.

“Kurrë se prisja këtë situatë. Ne vërtete kërkuam demokraci, por jo kështu. Une kam punuar 36 vite në spital, nuk marr asnjë ndihmë nga bashkia apo qeveria. Pensioni është vetëm për ilaçe. Ja shiko pak sa kam këtu ilaçet me rimbursim na bëjnë keq dhe sëmuremi më shumë. Fëmijët kanë ikur, ne jemi për të vdekur po kush do te na varrosë”, shprehet Silvana për Jugulajm.net.

Qyteti i Gjirokastrës, zonat përreth dhe fshatrat e tij shfaqin të njëjtën panoramë, të moshuar të vetmuar të cilët sytë i mbajnë nga dera në pritje të fëmijëve të larguar në emigrim.