Për të nxjerrë bagëtitë në kullotë apo për të punuar tokat, banorët e Lazaratit janë të detyruar të kapërcejnë lumin në këmbë, duke rrezikuar jetën në ditë me reshje. Prej një viti, ura mbi lumin Drino është shembur dhe rreth 4 mijë banorë të fshatit më të madh në Gjirokastër kanë mbetur të izoluar.
Blegtorët dhe fermerët e fshatit Lazarat apelojnë tek vendorët pasi ura që lidh pjesën perëndimore me atë lindore të luginës së Drinos që shërben si alternative për të shkuar tek tokat bujqësore dhe kullotat është shembur. Para një viti këtu humbën jetën dy elektricistë pasi është shembur bazamenti i betonit dhe për pasojë ka krijuar probleme.
Jemi një fshat pa ura, kalojnë dy lumenj në fshatin e Lazaratit dhe jemi pa një pasarelë pa lë më urë. Ngelemi tërë dimrin në shtëpi, turp për Bashkinë dhe Komunën! Bagëtitë nuk i ushqejmë dot veçse me ushqim të thatë. Kur ka reshje ky lum del deri në mes të fushës. Jemi ankuar një herë po 100 herë se hidhemi në lumë gjatë gjithë dimrit është turp për bashkinë që të mos ketë një urë-thotë njëri prej tyre.
Më 17 shkurt 2021 në këtë vend humbën jetën në krye të detyrës dy elektricistët e OSHEE, Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj, pasi makina me të cilën udhëtonin mbeti e bllokuar nga rrjedha e lumit.
Kjo çimento është hedhur para 40 vitesh e ka hedhur ushtria. Edhe kjo u prish, para një viti u mbytën dy njerëz, dy elektriçistë por nuk vihet dorë absolutisht. Dy lumenj kalojnë në fshat ne kemi mbetur si ishull, përtej është gjysmë e fshatit andej ka blegtori. Kur del lumi nga shtrati ua hedhim bukën me litar. Si ia bëni? Shumë keq s’ka asnjë fshat në Gjirokastër në këtë gjendje=vijon një banor.
Këtu janë mbytur dy elektricistë nuk na ka lënë ta mbushim vetë se ka qenë skenë krimi. E lanë në këtë gjendje nuk kemi nga lëvizim me zetor, kemi tokat kemi arat s’kemi nga kalojmë. Erdhën hodhën zhavorr e bllokuar fare rrugën. Fermerët e fshatrave Lazarat dhe Kordhocë janë ankuar tek administratori vendor Muharrem Basha, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.