Nga Uashingtoni, Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku tha për Zërin e Amerikës se përgjegjësia në rastin Ahmetaj, apo të gjithë atyre zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të majtë të akuzuar për korrupsion, është personale.

“Kryeministri e ka thënë disa herë që qeveria shqiptare nuk do të bëhet mburojë për askënd dhe përgjegjësia është personale. Kështu që këto janë procese normale dhe nuk besoj që ky është një proces ndryshe nga të tjerët. Kemi treguar që nuk kemi ndërhyrë në asnjë nga rastet kur ish-zyrtarë, ish-kryebashkiakë, ish-funksionarë dhe funksionarë, janë nën hetim nga kjo reformë e re, në gjyqësor dhe kudo tjetër. Janë procese për të cilat ne kemi qenë të përgatitur. Dhe sigurisht që nuk është politikë e qeverisë shqiptare, e Edi Ramës, dhe e mazhorancës që të ndërhyjë në punët e drejtësisë”, tha Balluku.

Pyetjes nëse mazhoranca duhet të kishte bërë ndryshimet në Reformën në Drejtësi për të mos lejuar hapësira që të akuzuarit për korrupsion, të largoheshin nga vendi, duke mos u përballuar me drejtësisë, Balluku la të hapur mundësinë e këtyre përmirësimeve ligjore.

“Ky nuk është faji i qeverisë. Një pjesë e opinionit publik, po thonë që qeveria nuk po mbron, anëtarët apo ish-anëtarët e saj, gjë që ne nuk kemi asnjë plan ta bëjmë. Ajo që ne do të donim të shihnim në të ardhmen ishte që i njëjti intensitet që po ndiqet nga SPAK-u sa i takon gjykimit, të ish-anëtarëve të qeverisë apo ish-kryebashkiakëve apo kryebashkiakëve apo zyrtarëve në këto momente, të jetë edhe me qeverinë e mëparshme, pasi ka dosje që prej kohësh qëndrojnë në SPAK, që kanë të bëjnë me ish-ministra me familjarë të udhëheqësve të Partisë Demokratike apo partive të tjera”, tha Balluku.

Sa i përket përgjegjësisë morale të qeverisë socialiste në lidhje me çështjen e inceneratorëve, Balluku sqaroi: Vizioni i kryeministrit, vizioni i qeverisë shqiptare, në atë kohë ka qenë një zgjidhje përfundimtare e përhershme, për sa i përkiste trajtimit të mbetjeve urbane. Nëse disa ministra, nuk e kanë kryer si duhet detyrën e tyre, dhe e gjitha mbetet për t’u vendosur në gjykatë, pasi të gjithë këta ministra që ne po flasim, ish-ministra, janë në fazat e hetimit paraprak, pra ne nuk kemi një vendimmarrje, nëse janë të fajshëm ose jo, janë dosjet e prokurorisë.

Për largimin e deputetit Rrahman Rraja, Balluku thotë se ai nuk ka patur probleme me ligjin para se të merrte mandatin, ndërsa mazhoranca mbajti qëndrimin e duhur pas dhunës ku u përfshinë familjarë të ish-deputetit.