Armela Murati është pilotja e parë femër e cila i është bashkohet Forcave të Armatosura të Shqipërisë. E ftuar në Euronews Albania, ajo ka thënë se është më se e lumtur që është e para pilote, ndërkohë ka bërë edhe një ftesë për të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë t’i bashkohen aviacionit.
“Prej gati një viti unë jam pilotja e parë femër në historinë e Forcave të Armatosura dhe për këtë nuk mund të jem më se e lumtur dhe e gëzuar. Për t’u bërë pjesë e kursit ne kalojmë disa testime dhe në bazë të kualifikimeve që ne marrim, përcaktohen edhe kandidatët që do të jenë pjesë e kursit.
Ky muaj në forcat e armatosura ka qenë një muaj rekrutimi, kursi i pilotit do të hapet përsëri dhe kërkojmë vajza dhe djem që janë të interesuar për fushën e aviacionit. Në dijeninë time unë di që janë shumë aplikantë që kanë aplikuar, të rinjtë janë të interesuar duke qenë se kushtet në forcat e armatosura janë përmirësuar goxha.
Në krahasim me një vit më parë mua më duket një punë shumë e lehtë, tani ja kam marrë dorën dhe kam fituar siguri. Unë e kam provuar ajrin dhe është një kënaqësi që nuk e shpreh dot me fjalë”,-tha për Euronews Albania pilotja Armela Murati.