Altin Gjini, miku i Fatmir Sulovari, një prej dy personave të zhdukur në Sarandë zbuloi në studion e Euronews Albania pamjet ekskluzive të mjetit të fundit ku është parë miku i tij.
Nga pamjet shihet në një pikë karburanti në Qafë Gjashtës, afër Sarandës, një mjet tip Benz, i cili ndjek një furgon.
Në sediljen e parë të Benzit shihet Fatmir Krasniqi, i cili duket i qetë. Në të njëjtën pikë karburanti, shihen pas një ore e 10 minuta përsëri të dy mjetet, por me ndryshimin se mjetit Benz i janë ndryshuar targat dhe i janë vendosur targa greke.
Gjini tha se nga kërkimet e tyre private dyshohet se Fatmir Sulovari alias Krasniqi, si dhe Leonard Theodhori janë vrarë në Xarë dhe trupat janë futur në furgon për të mos lënë shenja ADN-je.
“Miqtë të Koçoles dyshojnë se vendi ku mund të ketë ndodhur ekzekutimi i dy djemve është Xara. E kam bërë atë rrugë vetë me ecjen normale të një shoferi, koha e bollshme e një shoferi është një ore e gjysmë. Atëherë pyetja është pse u është dashur ky furgoni i bardhë. Nëse në Xarë ka ndodhur një ekzekutim i vetmi mjet që mund të mbajë dy trupa dhe mund të pastrohet kollaj, që është vetëm llamarinë, është vetëm një furgon i hapur, askush tjetër. Çdo mjet tjetër me sedilje me rrobë lë gjurmë ADN-je”, tha Gjini.