“Nuk e shtyva unë gruan drejt vetëvrasjes”. Kështu mësohet të ketë deklaruar përpara oficerëve të policisë së Durrësit, 45-vjeçari, Xhemal Loka bashkëshorti i 41-vjeçares, Bedrie Loka, e cila pak ditë më parë i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë.

Ndonëse policia thotë se disponon prova të pakundërshtueshme se 45-vjeçari ka kërcënuar të ndjerën, duke e shtyrë në ndërmarrjen e aktit të rëndë, Xhemal Loka, e mohon kategorikisht këtë akuzë.

“Unë jam kthyer pak ditë para ndërrimit të viteve nga Greqia. Ka qenë insistimi i Bedries që të vija dhe të kaloja festat në familje. Gruaja ka vrarë veten pikërisht prej bullizimit në Tik Tok. Nuk e kam kërcënuar se do e vrasë, pasi nuk kishte arsye. E kam grua dhe nuk doja të vetëvritej. Sa i përket sherreve, kanë qenë konflikte familjare siç i ka çdo familje”.

Ishte një nga 4 fëmijët e çiftit që rrëfeu se disa ditë përpara ngjarjes së rëndë, 45-vjeçari kishte kërcënuar se do vriste 41-vjeçaren.

Krahas kësaj dëshmie burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se policia dhe prokuroria ka në duar video mesazhe që Xhemal Loka, i çonte gruas së tij duke e kërcënuar.

Prova këto për të cilat ai ka refuzuar të flasë përpara hetuesve.

Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje policia vijon hetime paralele dhe për llogarinë në rrjetin social TikTok për të cilën viktima kishte bërë kallëzim në Dhjetor 2022.