Fredi Beleri ka reaguar nga qelia pas sigurimit të vendit në Parlamentin Europian, si eurodeputet i partisë Demokracia e Re.
Partia e Mitsotakis ka siguruar 7 deputetë, mes tyre edhe Fredi Beleri i cili ndodhet në burg për korrupsion zgjedhor.
Beleri ka marrë 235 mijë vota duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis. Beleri tha në reagimin e tij se kjo është një fitore e dritës mbi errësirën.
“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve.
Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.