Gledis Trashaj, djali i Pal Trashajt, 63-vjeçarit, i cili një ditë më parë konsumoi fostoksinë përpara SPAK duke humbur jetën tha në një deklaratë për mediat se babai i tij nuk kishte gjetur drejtësi për vite me radhë lidhur me një çështje pronësie.

Ai tregoi se personi i fundit që ai ka kontaktuar në telefon pasi ka kryer aktin final ka qenë bashkëshortja e tij, të cilës i ka komunikuar se kishte konsumuar fostoksinë.

“Nuk ka qenë koshient, kur kam ardhur unë, ka qenë vonë, të tjerët e kanë takuar dhe kanë folur. Xhaxhai e ka pyetur çfarë bëre, dhe thoshte vazhdimisht  ja ndodhi, padrejtësia, padrejtësia.

Di që ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me SPAK por nuk kam shumë informacion. Babi është munduar të na shmangë me problemet. Ka pasur një problem me një banke dhe ai ka vajtur te SPAK.

Ka qenë një rast i tmerrshëm, përmbarimi, me vendim gjykate për ta ekzekutuar, në 2016 ka arritur të na bllokojë edhe minimumin jetik. Konfiskimi ka qenë i pronës, i makinës, banesa ndodhet në Pllanë të Lezhës.

Për momentin ai po kërkonte drejtësi të padrejtësitë në vazhdimësi. Ka folur me mamin në telefon, i ka thënë se kam bërë këtë gjë, se nuk ka drejtësi. Besoj te SPAK që duhet të verifikojë vendimet e gjykatave”, tha ai.