Gjykata Administrative e Tiranës, ka pranuar padinë ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos, i cili në ka kërkuar pagesat mujore bruto për një periudhë 5 vjeçare.

Në vendimin e saj gjykata Administrative thotë se qeveria ka diskrecion të pakufizuar në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por këtë diskrecion nuk e ka për shkarkimin.

Kjo pasi ligji e thotë qartë se shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, mund të bëhet vetëm në dy raste: kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

Nisur nga këto rrethana, administrativja vendos që ta konsiderojë të paligjshëm shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe t’i japë Nanos të drejtën e marrjes së pagave për të pesta vitet, sa e ka të parashikuar me ligj mandati i tij.

Njëherësh në vendimin e saj gjyqtarja Afërdita Caco, ka pranuar kërkesën e Gledis Nanos, për ekzekutim të menjëhershëm të përkohshëm të vendimit, pa pritur se çfarë do të vendosi Apeli Administrativ.