Sekretarja e Brendshme në Britaninë e Madhe, Suella Braverman po përgatitet të njoftojë brenda disa ditësh një goditje ndaj emigrantëve shqiptarë, përmes një ligji të ri. The Sun shkruan se kjo vjen pasi statistikat tronditëse tregojnë se 12,000 shqiptarëve ende nuk u janë marrë në shqyrtim kërkesat e tyre për azil, edhe pse kanë hyrë në Britani para gjashtë muajsh.
Kryeministri, Rishi Sunak u ka thënë deputetëve konservatorë privatisht se rregullimi i kufijve të thyer të Britanisë është “përparësia e tij numër një”.
Ai ka qenë i ngujuar me Sekretaren e Brendshme për të punuar në lidhje me një plan top-sekret për t’u ashpërsuar me emigrantët që kalojnë kanalin me gomone.
Një zyrtar i lartë i qeverisë i tha The Sun të dielën: “Ne duam të themi diçka së shpejti, para Krishtlindjeve“.
Bëhet fjalë për një paketë të plotë masash për të goditur gomonet, për të ulur faturën e hoteleve për azilkërkuesit dhe për të kthyer kërkuesit fals para Vitit të Ri.
Mbi 40,000 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla deri më tani këtë vit. Tatimpaguesit po paguajnë 6.8 milionë paund çdo ditë për faturat e hoteleve për azilkërkuesit. Më shumë se një e katërta e tyre janë shqiptarë.
Shumë pretendojnë se janë skllevër të trafikantëve, në mënyrë që të mund të qëndrojnë dhe të jetojnë në Britani. Por ministrat mendojnë se ligji i prezantuar nga Theresa May është shumë i butë. Ata duan të forcojnë kompetencat për të arrestuar dhe deportuar emigrantët. Javën e kaluar, Ministri i Emigracionit Robert Jenrick tha se emigrantët shqiptarë duhet të ndalohen të kërkojnë azil.
Ai tha: “Shqipëria është një vend dukshëm i sigurt. Është shumë e vështirë të shihet se si një shqiptar duhet të jetë në gjendje të kërkojë azil me sukses këtu në MB”.