Editori i “Pamfletit”, Gjergj Zefi ka rënë sot pre e një sulmi fizik nga segmente të krimit. Persona që e urrejnë fjalën e lirë dhe që nuk e kapërdijnë dot realitetin që shkruan portali, me një akt prej burracakësh, sulmuan pas shpine gazetarin Zefi, pasi ai po dilte nga zyrat e portalit.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe falë hetimeve të saj u arrit të identifikohet se Zefit ju bë pritë nga një automjet me xhama të zinj që rezulton në pronësi të një personi i identifikuar si Renato Bodurri, nga Elbasani, i dyshuar me të shkuar kriminale.
Autorët edhe pse të maskuar, kanë lënë gjurmë, që nga targat, gjurmë gishtat dhe gjatë largimit. Bëhet fjalë për 3-4 persona.
“Më datë 03.10.2023, nga një telefonatë në Sallën Operative është marrë njoftim se në rrugën “Bardhok Biba”, persona të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta një shtetas.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se personi i dëmtuar është shtetasi Gj. Z., 52 vjeç (administrator i një portali), i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore.
Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi Hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi fillimisht policia.
Aktualisht hetimet janë duke vijuar. Efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurimit dhe pritet të zbardhet e gjithë ngjarja.
Sulmi ndaj një gazetari është akt i pafalshëm për këdo. Fjala e lirë nuk mund të cenohet. Gazetarët në të gjithë botën janë të paprekëshëm. “Pamfleti” gjithmonë e ka thënë realitetin ashtu siç është pavarësisht se shumë personave nuk u pëlqen. Sulme të tilla vetëm na bëjnë më të fortë dhe na japin kurajo për të tregur të vërtetën ashtu siç është, pa shtrembërime dhe me fakte. /Pamfleti