Studentët e mjekësisë kanë dalë në protestë ditën e sotme kundër draftit të qeverisë, që i detyron ata të punojnë tre vite në Shqipëri dhe në pas t’u jepet diploma. Një prej protestuesve i ka kërkuar qeverisë që të përmirësojnë kushtet në fakultete dhe kushtet në punë qe mjekët e rinj të mos ikin.

Ajo tha se qeveria ka dështuar në punën e saj për të mbajtur më të mirët në vend dhe ua pason fajin mjekëve. Studentja shprehet se ky akt është i padrejtë dhe se qeveria në vend që të krijojë ligje për të ndaluar mjekët të largohen jashtë vendit, duket të përmirësojë kushtet që ata të qëndrojnë.

“Nuk duam kurrsesi që në shtator të gjendemi pabesisht para firmosjes së kontratës. Përpara se të fajësoni mjekët që ikin, ktheni gishtin nga vetja dhe pyeteni veten pse? Pse po ikin? Çfarë po ofrojnë vendet e tjera më shumë që po na marrin mjekët? Çfarë duhet bërë për t’i mbajtur? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Përmirësoni sistemin shëndetësor, arsimin dhe kushtet e punës dhe duam përmirësime konkrete, jo vendime të shkruara në letra që nuk janë vënë kurrë në jetë,” tha një protestuese.