Zbardhet dosja e rekursit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dorëzuar në Gjykatën e lartë për Saimir Tahirin.
Gati 40 ditë pasi ish-ministri shkoi në qelitë e burgut për të kryer një dënim me 3 vjet e 4 muaj burg, SPAK e ka ridërguar çështjen e tij në Gjykatën e Lartë.
Në këtë gjykatë, SPAK kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm të 2 shkurtit të këtij viti, që la të pandryshuar shpalljen fajtor të Tahirit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” por shfuqizoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke detyruar dërgimin e ish-zyrtarit të lartë në burg.
Sipas rekursit të depozituar nga SPAK, Gjykata e Apelit ka gabuar, kur në vlerësim të provave dhe argumenteve të paraqitura në proces, ka cilësuar akuzën penale ndaj të pandehurit Tahiri si “shpërdorim detyre”.
Sipas prokurorëve të SPAK, ish-ministri duhet të fajësohej për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, vepra për të cilat në vijimësi ata kanë kërkuar 12 vjet burg për të.