Prokuroria e Posaçme ka nxjerr detaje në lidhje me hetimin që po bëhet ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. SPAK në një përgjigje për A2CNN, thekson se deri më tani nga hetimi ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale.

Sipas SPAK, informacionet për veprat penale morën shkasë nga një kallëzim i bërë nga një qytetar i identifikuar Nesti Angoni. Po ashtu SPAK thekson se deri më tani janë 4 vepra që po hetohen, të cilat korrupsion pasiv, korrupsion aktiv, pastrim i produkteve (parash) dhe fshehje e pasurisë.

Përgjigja e SPAK:

Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.

Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur mëngjesin e ditës së djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Veliaj ishte i shoqëruar nga drejtori juridik i bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi ka qëndruar në ambientet e SPAK për më shumë se 5 orë.

Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.

Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje e 6 dhjetorit duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.