Prokuroria e posaçme SPAK, ka njoftuar se një prej prokurorëve të saj ka marrë të pandehur komisioneren Etleda Çiftja, ndërkohë që tjetër anëtar i kësaj strukture, ka çuar kërkesën në gjykatë për pushimin e dosjes penale kundër komisioneres së “Vettingut” Brunilda Bekteshi.

Ajo rezulton e kallëzuar për “Falsifikim të dokumentave” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Vendimi është marrë nga prokurori i SPAK, Dritan Prençi, i cili për një periudhë më shumë se 5 mujore ka kryer veprime hetimore për disa nga detyrat e caktuara nga gjykata e posaçme SPAK.

Por një nga detyrat e caktuara nga gjykata, ka qënë dhe pyetja e Brunilda dhe Helidon Bekteshit, gjë të cilën prokuroria nuk e ka kryer duke u mjaftuar me një “MEMO” të dërguar në SPAK më 20 Prill 2022, informon Ora News.

Një ndër pikat, ku prokuroria është bazuar për marrjen e vendimit të pushimit të dosjes, ka qënë dhe konkluzjoni financiar mbi pasurinë e Bekteshit, të kryer nga një ekspert kontabël.

Ky konkluzjon që nxjerr me bilanc pozitiv Brunilda Bekteshin, mësohet të jetë bërë shkak për pushimin e dosjes për herën e dytë.

Eksperti financiar, në raportin ekonomik, llogarit edhe pagat mujore të Bekteshit, gjatë kohës kur ajo ka shërbyer si komisionere pranë KPK-së, në një kohë kur kallëzimi, ka të bëjë me veprimet financiare dhe pasurinë, para se ajo të bëhej komisionere.

Ndryshe nga çfarë kishte caktuar gjykata një afat prej 4 muaj, prokuroria e ka mbajtur dosjen në hetim për 5 muaj duke vendosur sërish pushimin e dosjes ndaj komisioneres Bekteshi.

Të kontaktuar nga “Ora News”, dy kallëzuesit e kësaj çështje, Bujar Hoti dhe përfaqësuesi i shoqatës “Drejtësi për Drejtësi”, pohuan se do e kundërshtojnë sërisht kërkesën për pushimin e hetimeve.

Ndërsa avokati i tyre, Arben Llangozi, s’qaroi se sërisht prokuroria ka lënë hetimin të paplotë, duke mos përmbushur të gjitha detyrat e caktuara nga gjykata e Posaçme.

Ndaj Brunilda Bekteshit paraqitën kallëzim Penal, ish-prokurori Bujar Hoti dhe shoqata “Drejtësi për Drejtësi” të cilët i kërkuan kryeprokurorit të SPAK, Arben Kraja, të hetojë komisioneren në lidhje me një kontratë shitblerje apartamenti në vitin 2007, në shumën 3,100,000 lekë, me para në dorë.

Burimi: Standard.al