Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) mbylli hetimet për ish-zv/ministren e brendshme Rovena Voda. Në njoftimin për shtyp, SPAK komunikon se dosja hetimore është përfunduar dhe i është dërguar Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
NJOFTIM PËR SHTYP
Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kanë përfunduar hetimet për procedimin penal nr.49/2 viti 2021, që bën fjalë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së këtyre dispozitave para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.
Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
E pandehura Rovena Voda është akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.
Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.
Sot në datën 13.01.2022, Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Rovena Voda u arrestua vitin e kaluar për akuzat e korrupsionit dhe marrjes së ryshfetit. Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi në korrik të 2021 masën arrest me burg për ish-zv/ministren e Brendshme. Nga përgjimet telefonike, Voda kërkonte ryshfet nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu për t’i punësuar në funksione publike.