Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për kryetarin e PS të Bashkisë së Këlcyrës, Klement Ndonin për korrupsion zgjedhor.

Bëhet me dije se sot SPAK ka marrë në pyetje një qytetare, e cila dyshohet se i është ofruar ryshfet kundrejt votës.

Po ashtu në denoncim thuhet pretendohet se funksionarë të kësaj Bashkie i kanë premtuar vend pune për djalin e papunë, në këmbim të votës në zgjedhjet e mbajtura në 14 maj të 2023.

Keshtu, në pyetje është marrë një tjetër qytetare për të cilën ka dyshime se i është ofruar mbështetje në formë rryshfeti kundrejt votës për kryebashkiakun e majtë.

Procedimi penal nr 178 i vitit 2023 për të cilën ndodhet nën hetim Ndoni nga prokurori Olsi Dado, ka të bëjë me dyshimet për krime zgjedhore, të denoncuar edhe nga qytetarë të Këlcyrës.

Pikërisht njëri prej tyre, një i moshuar 75-vjeçar u paraqit të mërkurën e kaluar në SPAK për t’u marrë në pyetje.  Në denoncimin e bërë prej tij përpara zgjedhjeve të 14 majit, pretendoi se funksionarë vendor në këtë bashki, i kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe punësim të djalit të papunë në këmbim të votave të familjes së tij në favor të kandidatit socialist për kreun e Bashkisë Klement Ndoni, i cili kërkonte mandatin e katërt në këtë funksion.

Sipas denoncuesit Agim Bakushllari, episodi kishte ndodhur në zyrat e bashkisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale.

Ndoni rezulton i kallëzuar edhe më parë në prokurori me akuzat për shpërdorim detyre, në disa projekte në qytet apo emërime në sektorin publik.  Në 2016 ai u akuzua nga shtetasi Bardhi Nunollari, ish-i dënuar për trafik droge që përmes deklarimeve publike tha se ishte i habitur që kandidonte për postin e kryebashkiakut një person me të cilin kishte trafikuar lëndë narkotike, akuzë të cilën Ndoni e mohoi.