Prokuroria e Posaçme ka ankimuar vendimin e GJKKO, e cila ka liruar nga qelia të enjten e kaluar ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, të akuzuar për aferën e inceneratorëve.
SPAK ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm, ndërsa ish-deputeti Bllako nga enjtja po qëndron në ‘arrest shtëpie’, teksa ndodhej në qeli pas akuzave për korrupsion me inceneratorin e Fierit. Sipas organit të akuzës, nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e ish-deputetit, por ky qëndrim nuk u mor parasysh nga GJKKO.
Gjykata e Posaçme vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” ndaj ish-deputetit Bllako më 6 tetor 2022, vetëm 6 muaj pas arrestimit për skandalin e incineratorëve.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila kishte dhënë më parë edhe vendimin e arrestit për ish-funksionarin socialist.
Avokatët e tij kërkuan zëvendësimin e masës arrest me burg në “arrest shtëpie” me argumentin se i pandehuri ka fëmijë të mitur dhe gjykata e pranoi.
Ndërkohë Gjykata e Lartë vendosi që ish Ministri i Mjedisit Lefter Koka të mbahet në burg deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit ndaj tij për çështjen e incineratorëve.
Opozita thotë se lirimi i Alqi Bllakos është bërë pasi shantazhoi Ramën e Erion Velinë se do të fliste.