Ditën e sotme ka nisur shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, i cili njoftoi se deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19566 bonuse.

“Nga të cilët: 13,712 bonuse 15,000 Lekë për pensionet nën 20,000 Lekë, invalidët dhe pensionet familjare; 5,854 bonuse 10,000 Lekë për pensionet mbi 20,000 lekë”, njoftoi Gonxhja.

Gonxhja i bën thirrje pensionistëve se bonusi mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare ose banka të nivelit të dytë deri më 30 Qershor 2025.

Qeveria e miratoi bonusin në fund të nëntorit. Përfitues do të jenë rreth 724 mijë pensionistë.

Fondin prej 100 milionë eurosh për pensiostët e bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë seancës parlamentare ku u diskutua për buxhetin.

Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë Lekë, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm, 15 mijë Lekë (150 Euro). Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë Lekë do marrin dyfishin e bonusit të dy viteve të mëparshme, në masën 10 mijë Lekë (100 Euro).