Mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot, Kurban Bajramin. Të shumtë ishin ata që falën namazin në sheshin “Skënderbej”. Kreu i KMSH, Bujar Spahiu uroi besimtarët dhe tha se kjo ditë duhet të shërbejë si një ditë reflektimi.
“Të bëhemi më të fortë ndaj besimit, ndaj Zotit. Më të dashur e më solidarë me njëri tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve”, tha Spahiu.
Një mesazh në këtë ditë e pati edhe për shqiptarët e Kosovës
“I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës”, tha kreu i KMSH-së.
Festa e Kurban Bajramit është një nga dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve myslimanë bashkë me Fiter Bajramin. Në këtë ditë që ndryshe cilësohet edhe si festa e flijimit, nderohet gatishmëria e Ibrahimit për të flijuar djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit.