Pikat e karburanteve në vend mashtrojnë me sasinë e naftës që hedhin në mjete.
Ky është një shqetësim që në fakt përflitet prej kohësh, por sot kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, denoncoi se kjo gjë nuk ndodh vetëm me qytetarët, por edhe me bizneset dhe është një problem i vazhdueshëm.
“Kemi pasur shqetësime nga bizneset. Kemi vjedhje të mëdha në shitje me pakicë. Për produkte naftë dhe benzinë, ka vjedhje. Veç cilësisë së keqe të karburanteve, qytetarët paguajnë më shumë sesa deklarohet. Shqetësues është fakti që ka ardhur pas kalimit me koncesion të shërbimit. Nuk jemi në fazën t’i kthehemi problematikës së vjedhjes me kandar. Duhet të ketë barazi dhe konkurrencë”, tha Buxhuku gjatë një takimi të kryeministrit Edi Rama me bizneset.
Sipas Konfindustrias, shkeljet me cilësinë dhe volumet e shitura të karburanteve, shkaktojnë kosto prej afro 200 milionë eurosh në vit, që paguajnë padrejtësisht qytetarët dhe biznesi shqiptar.
Denoncime për abuzimet e pikave të karburanteve në vend ka pasur gjithmonë, që nisin që nga publikimi i produktit në tabela, ku karburanti ka një përqindje më të lartë të squfurit se vlera që tregohet deri tek abuzimi me sasinë, që janë të ndaluara me ligj.