Nuk është thjesht tkurrja e popullatës problemi madhor, por edhe fakti se periferitë e Shqipërisë po zbrazen me ritme të shpejta dhe mbi gjysma e popullatës, jetojnë në shtatë qytete të mëdha.
Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamzë dhe Vorë.
Këto janë shtatë bashkitë, ku 52% e popullsisë shqiptare jeton në vitin 2024.
Rezultatet e publikuara nga Censi 2023 e reflektojnë faktin, përtej tkurrjes nga viti 2011 në vitin 2023 me 420 mijë banorë.
Në vitin 2011, raportohej se 2.82 milionë banorë jetonin në Shqipëri. në vitin 2023, shifra shkoi në 2.4 milionë.
Emigrimi i jashtëm ka qenë kështu një plagë (dhe vijon të jetë) e madhe për shoqërinë.
Por dëm po shkakton edhe imigrimi brenda vendit, duke e përqendruar popullsinë në zona të mëdha urbane dhe duke nxjerrë kështu pak nga pak jashtë funksioni periferitë, në një vend ku në kushte normale, bujqësia do të duhej të ishte motori i vërtetë i ekonomisë vendore.
Nga një krah, teksa në shtatë bashki jetojnë 52% e popullsisë, nga krahu tjetër, në 54 bashkitë e mbetura, jetojnë vetëm 48%.
Zona si Gjirokastra, Dibra, apo Kukësi, po mbeten shumë pak të banuar, me një emigrim masiv mbi të gjitha të të rinjve.
Peshën më të madhe sërish, e ka marrë kryeqyteti.
Në Tiranën urbane, në vitin 2023, u numëruan gjithsej 598 mijë e 176 banorë ose rreth 40 mijë banorë më shumë se në vitin 2011.
Në 12 vitet ndërmjet dy censeve, Tirana është shtuar me rreth 3 mijë e 300 banorë në vit, ose shumë herë më pak se projeksionet e Bashkisë së Tiranës, e cila dha lejet e ndërtimit vitet e fundit, bazuar me një shtesë vjetore të popullsisë në kryeqytet me mbi 16 -20 mijë banorë në vit.
Po nga ana tjetër, në Tiranë jeton gati 26% e popullsisë së vendit, në vitin 2011 në kryeqytet jetonte 19% e popullsisë. Gjithashtu në Durrës, në vitin 2023 jetonte 6.4% e popullsisë, nga 6.3% në vitin 2011.
Në disa qytete ndërkaq, pesha e popullsisë ndaj totalit ka pësuar rënie të ndjeshme ndërmjet dy censeve.
Në Shkodër në vitin 2023 jetonte 4.3% e popullsisë nga 4.8% në vitin 2011. Në 30 bashki nga 62 që ka vendi ndërkohë, secila prej tyre ka peshë për më pak se 1% të popullsisë totale.
Një rimendim në fakt për një reformë të re territoriale është i konceptuar prej kohësh, por i pakonkretizuar.