Kati i parë i një pallati gjashtëkatësh në bllokun e banimit pranë Lumit Drin në Lezhë u përfshi nga zjarri, duke shkaktuar frikë te banorët, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Flakët shpërthyen rreth orës 18:00 të së mërkurës në bllokun elektrik dhe tymi mbuloi të gjitha ambientet e brendshme të këtij objekti.
Sapo konstatuan flakët, banorët dolën me shpejtësi nga apartamentet e tyre, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërritën policia dhe shërbimi zjarrfikës.
Këta të fundit bënë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, duke shmangur përhapjen e tyre brenda pallatit.
Ky zjarr shkaktoi shkëputje të energjisë elektrike në zonën përreth për rreth 20 minuta. Vetëm 22 familje janë pa energji elektrike, ndërsa po punohet për rikthimin e saj.
Me normalizimin e plotë të situatës, pritet të nisin verifikimet për përcaktimin e shkaqeve të shpërthimit të bllokut elektrik të këtij pallati, i cili ka lënë pa energji elektrike 22 abonentë, ndërsa në pjesën tjetër të qytetit energjia është rikthyer brenda një kohe të shpejtë.