Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe thatësirë, këtë të shtunë vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu.
Shiu i dendur i orëve të mëngjesit në Koplik shkaktoi bllokimin e rrugëve kryesore t qytetit për disa minuta për shkak se kolektorët shkarkues e kishin të pamundur të përballonin nivelin e lartë të prurjeve. Në Shkodër reshjet sollën vetëm uljen e temperaturave, kurse në plazhin e Velipojës vetëm aventurierët provuan bregdetin.
Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe qarkun e Lezhës, ku pjesa më e madhe e pushuesve janë detyruar të ndërpresin pushimet, duke krijuar edhe radhë të gjata trafiku në hyrje dhe dalje të Lezhës, po ashtu edhe në rrugët dytësore.
Edhe qyteti bregdetar i Vlorës u përball me reshje me intensitet të lartë shiu këtë fundjavë. Në Lungomare, në rrugën transballkanike apo në hyrje të Vlorës u krijuan radhë të gjata trafiku, pasi pushuesit vendosën të ndërpresin plazhin.
Nisur nga situata meteorologjike që parashikohet për ditën e sotme, policia apelon që të shmangen aktivitetet në det për shkak të rritjes së dallgëve ne det, të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.
Trafik i rënduar u krijua edhe në Durrës, pasi shumë pushues braktisën plazhin. Probleme janë shkaktuar edhe në lundrim, veçanërisht për anijet e tonazhit të vogël, anijet turistike, por edhe sektori i peshimit ka pezulluar aktivitetin në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.