Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, kur, në një lokal në qendër të qytetit janë lënduar disa persona pas një përleshjeje me armë zjarri, ku u plagosën 21 persona, njëri prej të cilëve vdiq sot në mëngjes në spital.

Policia e Kosovës tha se u lënduan 21 persona, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. ndërsa 17 persona të tjerë, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave dhe shisheve të qelqit.

Sipas policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17.  Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia  K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.

Për gjendjen e të lënduarve ka folur pas mesnatës edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.

“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama etj. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacioni dhe është në rrezik për jetë. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar Syla.

Por njëri prej tyre vdiq pak orë pas shtrimit në spital. Lajmin e ka konfirmuar shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

“Nga informacionet që kam nga ekipi kujdestar i Mjekimit Intensiv, një pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekimin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arrit t’iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit. Ka qenë i plagosur në regjionin e barkut, mosha e tij 39 vjeç”, tha Shaqiri.