Deputeti i PD, Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm, gjykon se thirrja e Agjencisë së SHBA Kundër Narkotikëve – DEA, përbën një nga goditjet më të mëdha politike dhe morale që i janë bërë kësaj mazhorance dhe qeverisë së Edi Ramës.
I pyetur sot për këtë çështje në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV, Tritan Shehu theksoi ndër të tjera:
Vizita e DEA në Shqipëri dhe ajo thirrje që i bëri DEA në Shqipëri, qytetarëve, për të raportuar tek ata, për t’i lajmëruar ata, për t’i informuar ata, tregon që ka humbur besimi total i institucioneve amerikane, veçanërisht i institucioneve që lidhen me goditjen e krimit, të trafiqeve, të drogës ndaj institucioneve shtetërore.
Është një veprim që tregon fort dhe qartë gjendjen katastrofale të institucioneve tona, të qeverisë sonë, të “rilindjes” sonë, të korruptimit të saj dhe përfshirjes në trafiqe. Pra, DEA amerikane, që është një institucion mjaft serioz, mjaft i rëndësishëm në luftën kundër drogës në të gjithë botën, nuk ka besim tek institucionet.
Unë mendoj se është një nga goditjet më të mëdha politike dhe morale që i është dhënë kësaj mazhorance, për shkak të korrupsionit të saj, lidhjes së saj me trafiqet, lidhjes së saj me drogën dhe absolutisht, edhe lidhjes së saj me krimin e organizuar.
Ky është një mesazh që unë fatkeqësisht kam parë që në media këto ditë nuk ka qenë i vlerësuar siç duhet, por është një mesazh shumë i qartë që tregon gjendjen e rëndë të institucioneve shqiptare dhe të kësaj qeverisjeje përballë krimit, drogës dhe trafiqeve, që duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë ne qytetarët. Absolutisht! Është një element që duhet pasur në mendjet tona se tregon degradimin e kësaj “rilindjeje” përballë krimit dhe trafiqeve,” nënvizoi z. Shehu.