Të tjera arsye e motive ka nxjerrë në pah deputeti demokrat i Qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu, që qytetarët gjirokastritë kanë për të dalë në protestë kundër kësaj qeverie më 7 korrik në Tiranë.
Përveç mungesës së ujit që e evidentoi pak ditë më parë, Shehu ka nënvizuar sot milionat e hedhura në rrugën Kardhiq – Delvinë, vitet e pafundme të pritjes dhe përmbylljen sot me një pritje qesharake për Ramën me iso polifonike, si ato që që i përgatiteshin dikur Enver Hoxhës.
Qarku i Gjirokastrës do të protestojë edhe për 7 vite vonesë në përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, – theksoi Tritan Shehu. – Edhe kundër shpenzime spekulative, afër 3 herë më shumë ndaj atyre të parashikuara për përfundimin tashmë si breshka të pjesës së mbetur të saj që nga viti 2013!
Pikerisht për këta dhe të tjera elemente diskutuam sot me Kryesinë e degës së PD në Memaliaj dhe më tej me grupin organizator të qarkut për protestën e 7 korrikut, të mbledhur në Këlcyrë sepse në fakt, të gjitha këto kanë rënduar dhe rëndojnë mbi qytetarët, përfshi dhe banorët e këtij qarku; thellojnë varfërinë ekstreme të tyre, u nxinë jetën deri në tragjedi.
Çuditërisht po sot, Kryeministri, duke prerë shiritin e dështimit të tij, “mburret” aty nën tingujt e një muzike të denjë vetëm për regjimet, kur së pari duhej të jepte llogari e të mbante përgjegjësi kokulur jo vetëm për vonesën disavjeçare të punimeve, por dhe për ato çmime punimesh, shumë më të larta edhe ndaj standarteve europiane, të grabitura nga xhepat e shqiptarëve.”
“Motive më shumë këto për të protestuar së bashku më 7 korrik”, shprehet Shehu.