Leja për ndërtimin e një pallati 7-katësh në Sarandë ka çuar në pranga Romina Pulajn, shefen e IKMT-së.

Operacioni është kryer nga komisariati i Policisë dhe Prokuroria e qytetit.

Ndërkohë është shpallur në kërkim biznesmeni Pando Papuçi, i cili është larguar duke iu fshehur Policisë.

Përveç procedimit të Pulajt dhe Papuçit, Prokuroria e Sarandës ka urdhëruar sekuestrimin e pallatit 7-katësh.

NJOFTIMI ZYRTAR

Sarandë

Finalizohet me sukses operacioni policor “HESHTJA”.

Vendoset sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme, pallat 7-katësh. 

Operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Arrestohet kryeinspektorja e IMT Sarandë, për shpërdorim detyre. 

Shpallet në kërkim pronari i objektit. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore 3-mujore, kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndertimeve në qytetin e Sarandës dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “HESHTJA”,  në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestuan në flagrancë shtetasja:

– R. P., 31 vjeçe, me detyrë kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7-katesh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës.

Materialet i kaluan për  veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe  “Ndërtimi i paligjshëm”.