Gjykata e Sarandës ka dënuar me 24 vite burg dy autorët e grabitjes me armë të noterit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në 20 tetor 2021. Samet Brahimi, 35 vjeç nga Shkodra, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe Ilia Mata, 30 vjeç nga Tirana, u dënuan me nga 18 vjet burg secili për “vjedhje me armë” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” por në aplikim te gjykimit të shkurtuar u dënuan me nga 12 vite burg, ndërsa Elis Avduli alias Mile Xhafa, 54 vjeç nga Konispoli, i dënuar më parë në Greqi për trafik droge, u shpall i pafajshëm.
Për dy të parët Prokurori Ilir Hoxha kishte kërkuar të njëjtin dënim që dha gjyqtari Fatmir Ndreu, ndërsa për Avdulin kishte kërkuar 12 vjet burg dhe me gjykim të shkurtuar 8 vjet.
Mëngjesin e 20 tetorit 2021, dy persona i zunë pritë Thoma e Martha Kaçit teksa ata po merrnin ashensorin për të dalë nga banesa në lagjen nr.4 të Sarandës.
Nën kërcënimin e një Kallashnikovi, grabitësit i futën brenda bashkëshortët, i lidhen dhe u larguan me rreth 13.500 euro dhe mbi 5 milionë lekë të vjetra e dy çelësa automjetesh.
Në dëshminë e tij noteri Kaci tha se fillimisht njeri prej autorëve i tha se kishte urdhër për ta vrarë Kacin por nëse ai i jepte para, ai do e falte.
Pas kqyrjes së disa pamjeve filmike, policia në 3 nëntor 2021 arrestoi fillimisht tre të dyshuar, Oltjon Kolonja, Vladrias Himaj dhe Elis Avduli. Por në 17 maj në Tiranë u arrestua me Kallashnikov në makinë shkodrani Samet Brahimi.
Gjatë marrjes në pyetje ai pranoi edhe grabitjen e noterit në Sarandë.