Policia arreston babain e njërit prej të miturve që pësuan aksident në Sarandë.
Policia vendore informon se ‘në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), ju informojmë se:
Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë, arrestuan shtetasin O. K., 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme’.