Çmimet kanë fluturuar në vendin tonë. Pavarësisht bordeve të transparencës që ka ngritur qeveria, zbarkimit nëpër supermarkete të vetë kryeministrit Edi Rama dhe ministrave e deputetëve të tij, qytetarët po përballen me rritje galopante të çmimeve të mallrave të shportës, si dhe karburantit.
Gjëra jetike këto në përditshmërinë e njerëzve, ndaj dhe shqetësimi kryesor është pikërisht për to. Në njoftimin e sotëm u bë e ditur se deri më 1 prill, çmimi i naftës do të jetë 145 lekë për litër, ndërsa i gazit 110 lekë për litër.
Pra, gati sa në momentin kur nisën protestat në të gjithë vendin dhe nuk u ndalën për një javë. Asokohe, qeveria, gjasme me bordin e krijuar për transparencë i uli çmimet e karburantit, por sa u ndalën protestat, rritja është progresive.
Për pasojë, qytetarët janë gati të organizohen sërish dhe t’ia bëjnë të qartë qeverisë se nuk mund të tallet me to. Kështu, organizatorët kanë bërë thirrje në rrjetet sociale që protestat kundër rritjes së çmimeve të fillojnë sërish të martën, më 29 mars, para kryeministrisë:
Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje, për të tretën herë brenda pak ditësh. Qytetarët do të reagojnë sërish me protestë. Kur nuk dalim në protestë, çmimet rriten, kur reagojmë çmimet ulen”. Më saktësisht, qytetarët njoftojnë se do të mblidhen të martën e 29 marsit, në orën 17:00 para kryeministrisë.